Banorët e fshatrave Dom e Zall – Rripë, në Njësinë Administrative Gurrë, në Bashkinë e Klosit, presin me padurim përfundimin e Urës së re të Domit, veprës më të rëndësishme që e kanë pritur prej 30 vitesh, dhe që po ndërtohet prej betoni. Por aktualisht banorët e këtyre fshatrave po përdorin urën ekzistuese tip pasarelë, që është tejet e amortizuar dhe e rrezikshme për jetën e përdoruesve. Tabanët e urës janë të thyer dhe të kalbur që në hyrje të urës nga rruga nacionale. Gjithashtu dyshemeja prej dërrase është tërësisht e kalbur dhe me gozhdë që kanë balë mbi sipërfaqe. Një nga banorët e zonës shprehet se nga përdorimi i urës së vjetër ekzistuese jemi shumë të rrezikuar deri kur të ndërtohet ura e re. Ato kërkojnë nga pushteti vendor që të ndërhyjë për rikonstruksionin e urës ekzistuese të Domit, deri kur të ndërtohet ura e re.
Ura e re e Domit ka nisur ndërtimin që në fund të vitit 2023 dhe punimet duhet të kishin përfunduar, pasi afati në kontratën e lidhur mes firmave fituese tashmë ka kaluar. Ndërsa punimet vijojnë banorët nuk janë të informuar se kur do të përfundojnë ato, duke munguar kështu transparenca e kërkuar me komunitetin.