Ura e Zogut mbi lumin Mat rrezikon të shembet plotësisht pasi reshjet e shiut e kanë përkeqësuar edhe me keq gjendjen. Këmba e kësaj ure “Monument Kulture i Kategorisë së Parë” është fundosur edhe me rreth 30 cm të tjera, duke sjell sërish lëvizje të të gjithë strukturës. Projekti emergjent i miratuar që prej muajit mars të këtij viti nga qeveria shqiptare nuk ka nisur të zbatohet, pasi asnjë kompani nuk e ka marrë përsipër ndërhyrjen. Në këto kushte ekspertët ngrejnë alarmin se ky monument po zhduket dhe kërkojnë që të shtohet fondi për shpëtimin e tij.

Ura me 6 harqe, e gjatë 500 metra që lidh dy brigjet e lumit Mat në afërsi të Milotit, u ndërtua nga Mbreti Zog në fund të viteve ‘20 të shekullit të kaluar, por në dy dekadat e fundit, Ura e Zogut, “Monument Kulture i Kategorisë së Parë” nuk ka njohur asnjë ndërhyrje rehabilituese dhe tashmë rrezikon shembjen e plotë.