Një ndër urat më të mëdha të rrugës së Arbrit është drejt përfundimit. Bëhet fjalë për urën e cila po ndërtohet mbi urën e “Vashës” në fshatin Fshat të Bashkisë së Klosit e që lidh tunelin 5 me fshatin Plan i Bardh.

Kjo urë është një ndër veprat më të vështira të rrugës së arbrit për shkak të pozicionit në të cilin po ndërtohet. Ajo do të jetë mbi 300 metra e gjatë dhe 150 metra e lartë.

Puna për ndërtimin e kësaj ure nisi rreth 1 vit më parë, ndërsa mësohet se janë kryer deri tani mbi 90% të punimeve. Firma e cila ka marrë përsipër ndërtimin e kësaj ure vijon punën për vendosjen e elementëve metalikë.

Siç shihet edhe nga pamjet, ka mbetur fare pak pa u bashkuar pjesët metalike që të mbyllet lidhja e tyre dhe të kthehet në urë. Edhe këtë të shtunë aty po punohej.

Megjithëse kantieri është i kufizuar për vizitorët dhe mediat, burime pranë firmës thanë për Mat Tv se punimet pritet të përfundojnë brenda një kohe të shkurtër.

Punimet vazhdojnë edhe në ndërtimin e urës nga tuneli katër drejt fshatit Shkallë të Njësisë Administrative Xibër.