URA E RREZIKSHME NË KOKËRDHOK, ASNJË MASË PËR SIGURINË E DREJTUESVE
Një tjetër pikë e rrezikshme në aksin nacional Burrel–Skuraj ndodhet në fshatin Kokërdhok. Bëhet fjalë për një urë e cila prej kohësh paraqet probleme serioze, ndërsa deformimet në strukturën e saj janë të dukshme dhe vijojnë të përkeqësohen si pasojë e amortizimit të vazhdueshëm. Por ajo që e bën situatën edhe më shqetësuese është mungesa e sinjalistikës rrugore. Drejtuesit e mjeteve që përshkojnë këtë aks nuk kanë paralajmërimin e nevojshëm për rrezikun dhe deformimet e urës, duke e kthyer kalimin në këtë segment në një burim të vazhdueshëm rreziku, veçanërisht gjatë natës apo në kushte të vështira atmosferike. Sipas banorëve dhe drejtuesve të mjeteve, në këtë zonë kanë ndodhur disa aksidente, pikërisht për shkak të mungesës së orientimit dhe sinjalistikës. Pak muaj më parë, një familje për pak sa nuk humbi jetën, pasi automjeti me të cilin udhëtonte doli nga ura dhe përfundoi në greminë. Një ngjarje që fatmirësisht nuk përfundoi në tragjedi, por që duhet të ishte një sinjal alarmi për institucionet përgjegjëse. Megjithatë, edhe pas këtij incidenti, nuk është marrë asnjë masë konkrete për sigurinë e këtij segmenti. As firma mirëmbajtëse dhe as ARRSH nuk kanë ndërhyrë për vendosjen e sinjalistikës apo për eliminimin e rrezikut që paraqet ura. Ndërkohë, çdo ditë në këtë aks qarkullojnë dhjetëra automjete. Pyetja që mbetet është e thjeshtë: sa duhet pritur dhe sa aksidente të tjera duhet të ndodhin që në këtë urë të ndërhyhet? Banorët dhe drejtuesit e mjeteve kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme, përpara se një aksident tjetër të kthehet në një tragjedi.