Ura e Karicës pritet të nis ndërtimi, po me urat tjera çfarë do bëhet?
Pak ditë më parë përfaqësues të Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe të Kompanisë e cila pritet të zbatojë projektin për ndërtimin e urës së re të Karicës kanë qenë në terren. Burime thanë për “Mat Televizion” se është parë nga afër vendi ku do të ndërtohet ura e re, e cila do të jetë me hapsirë më të madhe se ajo ekzistuese dhe do të përfshijë vendkalimin edhe për këmbësorët. Ura e re pritet të ndërtohet në anën e poshtme të urës ekzistuese teksa lëviz në drejtimin Burrel – Skuraj. Megjithatë, në terren ende nuk kanë nisur punimet për këtë objekt. E teksa kjo urë pritet të ndërtohet, janë të paktën edhe dy ura të tjera në territorin e Bashkisë Mat që kanë nevojë për ndërhyrje emergjente. Bëhet fjalë për urat në vendin e quajtur “Ish-Pularia”. Deformimi i këtyre urave duket me sy të lirë, teksa shihen qartë gungat e krijuara si pasojë e zhvendosjes së bazamenteve dhe këmbëve. Sipas specialistëve as këta ura nuk kanë siguri për kalimin e mjeteve mbi të pasi janë ndërtuar njëherësh me urën e Karicës. E teksa kjo pritet të bëhet e re, është e domosdoshme që edhe këto dy ura t’i nënshtrohen të paktën një rikonstruksioni të plotë ose të vlerësohet me ekspertizë të thelluar gjendja e tyre.