Ura e Karicës, apelojnë sërish drejtuesit e mjeteve
Ura e Karicës, që është pjesë e rrugës nacionale Burrel – Skuraj, vijon të jetë e bllokuar për kalimin e mjeteve të tonazhit të rëndë. Pranë saj është planifikuar të ndërtohet një urë e re me projektin e ndërtimit të 24 urave në të gjithë vendin. Por edhe pse kanë kaluar afro 3 vite nga bllokimi i saj, në terren nuk ka nisur puna për ndërtimin e urës së re. Drejtuesit e mjeteve dhe banorët vijojnë t’ju bëjnë apel institucioneve që të nisë sa më shpejt puna për ndërtimin e urës së re, pasi po rrezikojnë jetën çdo ditë duke kaluar mbi urën e vjetër. Sipas drejtuesve të mjeteve, ura nuk ka asnjë siguri pasi është ndërtuar rreth 70 vite më parë dhe është shumë e amortizuar si nga ana e qëndrueshmërisë ashtu edhe nga mbrojtëset anësore. Apeli i banorëve që kalojnë çdo ditë mbi këtë urë shkon për ARRSH dhe institucionet e tjera që kanë përgjegjësi. Projekti për ndërtimin nga e para të 24 urave në të gjithë vendin ka nisur që në vitin 2022 dhe deri tani vetëm një urë është ndërtuar. Ky projekt mbulohet nga një hua e marrë nga qeveria shqiptare tek Banka Botërore në vlerën e 100 milion dollarëve.