Një lajm i mirë për banorët e fshatrave Dom e Zall-Rripë, në Njësinë Administrative Gurrë, në Bashkinë e Klosit. Së shpejti pritet të dalë fituesi i tenderit për ndërtimin e urës së Domit, dhe punimet fillojnë që në muajin tetor. Ura, sipas projektit, do të bëhet me dy këmbë prej betoni dhe me trotuar për kalimin e këmbësorëve.
Ndërtimi i urës së Domit vjen pas një sërë kronikash sensibilizuese në media, ku përdoruesit e saj protestonin për ndërhyrje në këtë urë, e cilësuar nga ata si “ura e vdekjes”, pasi në të janë shënuar edhe viktima.
Ura e Domit u shërben jo vetëm banorëve të fshatrave Dom e Zall-Rripë, në Njësinë Administrative Gurrë, por edhe një pjese të banorëve të fshatit Frankth. Më problematike ka qenë kalimi nëpër këtë urë i furgonit me nxënësit e shkollave, të cilët ishin të detyruar të zbrisnin për ta kaluar urën në këmbë edhe në stinët me reshje, pasi rrezikonte që furgoni të përfundonte në lumin Mat. Kjo pasi ura ishte tejet e amortizuar, me kavot mbajtëse të këputura e të ndryshkura.
Por ka qenë premtimi i zëvendëskryeministres Belinda Balluku dhe i kryebashkiakes së re të Klosit, Valbona Kola, që ua premtuan banorëve gjatë fushatës elektorale, dhe tashmë ky premtim po bëhet realitet.