Rruga Ura e Çerenecit – Librazhd është një ndër rrugët më problematike të zonës së Gollobordës por edhe të fshatrave të jterë të Bulqizës. Që prej vitit 2011, kur qeveria e asaj kohe hapi trasenë dhe e bëri gati për asfalt, ajo ka mbetur ashtu. Prej më shumë se 13 vitesh premtohet e deklarohet se do të asfaltohet kjo rrugë e cila jo vetëm u shërben mijëra banorëve të Bulqizës, por edhe të zonës së Librazhdit pasi shkurton ndjeshëm distancën mes këtyre dy bashkive. Por së fundmi, në hyrje të rrugës tek Ura e Çerenecit është vendosur pak ditë më parë kjo tabelë e cila informon se rruga do të asfaltohet. Financues është Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, ndërsa vlera e investimit është rreth 9 milion e 80 mijë dollar. Por në tabelën informuese mungon afati i nisjes së punimeve dhe i përfundimit të tyre. Nisur nga kjo, drejtuesit e mjeteve dhe banorët e zonës së Gollobordës janë skeptikë se këtë radhë puna do të nisë me të vërtetë pasi është e disata herë që vendosen tabela.

Nga ana tjetër ata shprehen se për 3 dekada me radhë janë mashtruar nga politika si majtas e djathtas, ndërsa theksojnë se kanë kërkuar gjërat më bazike, rrugë, ujë e shëndetësi.

Rruga Ura e Çerenecit – Zgosht, Librazhd ka një gjatësi prej 47 kilometrash, ndërsa ju shërben njësive Administrative Gjoricë, Ostren e Trebisht të Bulqizës.