Deklaratë e Unionit të Gazetarëve Shqiptarë
Dhuna fizike mbi reporterin e News 24 dhe Fax News, Enver Doçi në Peshkopi është një akt policor
Tiranë më 29.06.2019
Unioni i Gazetarëve Shqiotarë denoncon dhunën fizike policore të ushtruar nga person me uniformën e Policisë së Shtetit mbi reporterin lokal Enver Doci, sot në datën 29 qershor 2019, në qytetin e Peshkopisë. Reporteri Doçi ndoshej gjatë xhirimeve nga një aksion policie në arrestimin e një personi në mjedis publik. Personi i arrestuar ishte shpallur në kërkim gjatë paradites së ditës së sotme për shkak të ngjarjeve të një nate më parë kur ishte sulmuar KZAZ në qytetin e Peshkopisë. Gjatë momenteve të filmimit, reporteri goditet nga polic special, pasi kanë venë re se po regjistroheshin nga reporteri Doçi. Për shkak të goditjes reporteri ka pësuar lëndim dhe i është thyer aparati regjistrues, ndërkohë që me ndihmën e qytetarëve të oranishëm është përcjellë për ndihmë shëndetësore në spitalin e qytetit.
UGSH e denoncon këtë akt, duke u kërkuar autoriteteve të larta shtetërore reagim të menjëhershem dhe vënien para përgjegjësisë të autorëve të kësaj dhune mbi gazetarin. Organizata jonë i uron shërim të shpejtë reporterit Enver Doçi dhe i shprehim solidaritetin e plotë.
UGSH vlerëson ndjesën e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë sê Shtetit si reagim i duhur dhe konsiderimin e tij si një akt i pakëndshëm.
UGSH apelon për të gjithë aktorët dhe subjektet partiake që janë pjësëmarrës apo edhe refuzues të procesit të 30 qershorit 2019, në çdo vend dhe në çdo moment, të respektojnë dhe mundësojnë punën dhe të drejtat e gazetarëve për ushtrimin e misionit të tyre profesional dhe publik. Në çdo rast që do të cënohet apo pengohet gjithkush që shërben për informimin publik, orga izata jonë do të jetë subjekti i parë reagues dhe organizata që do të sensibilizojë reagime të komunitetit profesional dhe organizatave ndërkombëtare të gazetarëve.
Zyra e Shtypit
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë