Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja ka zhvilluar sot një takim me drejtuesit vendorë të Bashkisë Bulqizë. Burime për Bulqiza.info bëjnë me dije se Manja, njëkohësisht koordinator politik i Partisë Socialiste për Qarkun Dibër, u ka kërkuar drejtorëve të drejtorive të kësaj bashkie të angazhohen maksimalisht për të rritur mirëqenien në çdo zonë të Bulqizës. “Angazhim, përkushtim dhe vëmendje ndaj nevojave të qytetarëve duhet të jetë motoja e çdo drejtuesi vendor, duke nisur nga kryebashkiaku e deri tek nëpunësi më i thjeshtë i bashkisë”, mësohet të ketë thënë Manja.

Ndërkohë, vetë kryebashkiaku Lefter Alla, përmes një postimi në faqen e tij zyrtare në facebook shkruan se ky mandat duhet të vijojë me një vëmendje të shtuar ndaj nevojave të qytetarit dhe zbatimin e reformave për rritjen e nivelit të mirëqenies në çdo njësi administrative.

Përmirësimi i shërbimeve, infrastrukturës rrugore, shërbimeve shëndetësore, institucioneve arsimore dhe hapja e vendeve të reja të punës do të vijojnë të jenë prioritetet e këtij mandati.”, tha Alla. Më tej ai shkruan se “s’mund të ketë pushim nëse duam një votëbesim të qytetarëve për herë të katërt!”

Nga ana tjetër, burime nga Bashkia Bulqizë thanë për Bulqiza.info se kryabashkiaku Alla para disa ditësh ka zhvilluar mbledhje me të gjithë drejtuesit vendorë, të cilëve u ka kërkuar që të raportojnë në mënyrë periodike mbi çdo projekt dhe angazhim të nisur. “Z.Alla u kërkoi drejtuesve të drejtorive të ndryshme që çdo projekt i nisur të ndiqet me seriozitet. Duhet të raportohet mbi çdo vështirësi të ndeshur dhe të adresohen zgjidhje të menjëhershme. Qytetarët na kanë besuar përmes votës së tyre dhe ne duhet t’u përgjigjemi me punë dhe shërbime. Nuk mund të ketë asnjë justifikim për neglizhencat që mund të ndodhin gjatë ushtrimit të detyrës. Çdo neglizhencë do të rëndojë mbi personat që nuk kryejnë detyrat siç duhet.”, mësohet të ketë thënë Alla në mbledhjen me drejtuesit vendorë të bashkisë që ai drejton.