Ulje e Lehtë e Çmimeve të Karburanteve: Vendimi i Bordit të Transparencës

Ulje e Lehtë e Çmimeve të Karburanteve: Vendimi i Bordit të Transparencës

Tiranë – Bordi i Transparencës është mbledhur sot për të vendosur çmimet e reja të karburanteve, të cilat do të shënojnë një ulje të lehtë.

Nafta, e cila më parë shitej me 208 lekë për litër, tashmë do të jetë dy lekë më lirë. Ndërsa benzina, që deri sot tregtohej me 185 lekë për litër, do të pësojë një ulje prej vetëm një lekë.

Në mbledhjen e datës 2 Maj 2026, Bordi i Transparencës vendosi:

  • Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gazoil (standardi SSH EN 590) do të jetë jo më shumë se 206 lekë/litri.
  • Çmimi i shitjes me shumicë i gazoil do të jetë jo më shumë se 194 lekë/litër.
  • Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë (standardi SSH EN) do të jetë jo më shumë se 184 lekë/litri.
  • Çmimi i shitjes me shumicë i benzinës do të jetë jo më shumë se 172 lekë/litër.

Këto çmime të caktuara nga Bordi do të hyjnë në fuqi sot, datë 2 Maj, ora 16:00, dhe do të mbeten të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të bordit, ku do të pasqyrohen ndryshime të tjera të mundshme.

Bordi tërheq vëmendjen e çdo operatori të shitjes me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës mbi detyrimin për zbatimin e këtij vendimi. Në rast të shkeljeve të konstatuara, do të aplikohet pezullimi i aktivitetit.

Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, së bashku me Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, janë angazhuar të mbrojnë interesat e konsumatorëve shqiptarë dhe të ruajnë parimet e konkurrencës së ndershme në treg.

SQARIM MBI AKCIZËN: Referuar Aktit Normativ nr. 1, Datë 3.4.2026, “Për një shtesë në ligjin nr. 61/2012, “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë,” të ndryshuar, parashikohet se në rast se çmimi i shitjes me pakicë i gazoilit është më i lartë se 220 lekë/litri, ose për benzinën më i lartë se 200 lekë/litri, zbatohet niveli 80% i akcizës. Bazuar në metodologjinë për llogaritjen e çmimeve tavan të shitjes me pakicë, çmimet aktuale janë nën kufirin e këtij Akti Normativ, dhe për rrjedhojë niveli i akcizës do të zbatohet i plotë, 100%.