Prej vitesh problemi më i madh i fshatit Suç në Bashkinë e Klosit ka qenë mungesa e sistemimit të ujërave të ndotura. Duke qenë se banesat në këtë fshat janë të grupuara, prania e ujërave të zeza është kthyer në shqetësim serioz.
Vazhdimisht banorët kanë kërkuar nga pushteti vendor, që nga ish-komuna e deri sot, për të bërë të mundur ndërtimin e një rrjeti për ujërat e zeza, por deri tani nuk është bërë asgjë.
Siç duket nga pamjet, ujërat e ndotura të fshatit rrjedhin lirshëm në rrugë, duke u kthyer në një burim infeksioni sidomos në këtë periudhë që temperaturat do të rriten ndjeshëm.
Jashtë kameras, banorët thanë se vazhdimisht i kanë kërkuar Bashkisë Klos rehabilitimin e këtyre ujërave, ndërsa janë në pritje të investimit.
Të kontaktuar nga ana jonë drejtues të drejtorisë së Shërbimeve pranë Bashkisë së Klosit thanë se do të bëhet një ndërhyrje emergjente për të eleminuar paraprakisht rrjedhën në sipërfaqe të ujërave të zeza, ndërsa pritet financimi për ndërtimin e një rrjeti të plotë për të gjithë fshatin në mënyrë që kjo problematikë të zgjidhet njëherë e mirë.