Në këto ditë të nxehta Gushti, banorët e fshatit Shulbatërr në Njësinë Administrative Gurrë të Bashkisë Klos, po përballen me ndotje pasi ujërat e zeza rrjedhin në sipërfaqe. Vetë banorët shprehen se ndërhyrjet e bëra deri tani kanë rezultuar të paefektshme pasi problemi është rikthyer. Ata thonë se ndonëse bashkia ndërhyri dhe bëri zhbllokimin e rrjetit ku kishte probleme, situata është përsëritur brenda një kohe të shkurtër. Aktualisht ujërat e ndotura janë në sipërfaqe dhe shqetësimi shtohet si pasojë e temperaturave shumë të larta që kanë qenë prezente gjatë kësaj vere. Banorët kërkojnë që të ndërhyhet për ta zgjidhur problemin përfundimisht pasi me prezencën në sipërfaqe të ujërave të zeza, rritet rreziku për infeksione të ndryshme.

Bashkia e Klosit ka ndërhyrë disa herë opër zgjidhjen e kësaj problematike, duke zëvendësuar edhe një pjesë të tubacioneve. Duke qenë se situata mbetet shqetësuese, autoritetet vendore po shohin mundësinë e një tjetër ndërhyrjeje për ta zgjidhur përfundimisht këtë problematikë për banorët e Shulbatrëës.