Rreth 70 familje në qytetin e ri të Bulqizës po përballen me daljen e ujërave të zeza në sipërfaqe. Banorët fajësojnë firmën e punimeve që merren me riparimin e sistemit të ujërave të zeza, e cila sipas tyre ka vënë tubacione me dimension të vogël. Bllokimi i pusetave shkakton jo vetëm aromë të rëndë pranë pallatit ku banojnë, por edhe lagështirë në katet e para. Problemin e kanë bërë prezent edhe në Bashkinë e Bulqizës, e cila ia hedh “topin” firmës së punimeve.
Kjo situatë ka mëse një vit që shqetëson banorët e qytetit të ri në Bulqizë, që kur firma ka vijuar punimet për sistemimin e rrjetit të ujërave të zeza. Në kushtet kur edhe temperaturat e verës janë shumë të larta, banorët kërkojnë ndërhyrjen edhe të Drejtorisë së Higjenës për marrjen e masave të duhura në mbrojtje të shëndetit të popullatës.