Ujërat e zeza në fshatin Burim, shqetësim për banorët

Ujërat e zeza në fshatin Burim, shqetësim për banorët

Banorët e fshatit Burim, në Njësinë Administrative Maqellarë në Bashkinë Dibër, prej vitesh po përballen me problemin e ujërave të ndotura të cilat rrjedhin në sipërfaqe. Mungesa e kanalizimeve ka bërë që shumë rrugë, kryesisht pranë banesave të kenë prani të ujërave të zeza, të cilët janë kthyer në burim infeksioni. Banorët e fshatit Burim shprehen se më e keqja është se janë të detyruar të konsumojnë ujë nga puset që i kanë hapur në oborret e shtëpive dhe që rrezikojnë të jenë të kontaminuar nga ujërat e ndotura. Ata shprehen se prej vitesh kanë kërkuar nga pushteti vendor ndërtimin e një rrjeti për ujërat e zeza, por deri tani nuk është bërë asgjë. Sipas banorëve, premtimet e vazhdueshme të dhëna në çdo fushatë elektorale kanë mbetur vetëm si të tilla pasi askush nuk i ka mbajtur pas zgjedhjeve. Situata nga prania e ujërave të ndotura në sipërfaqe në fshatin Burim përkeqësohet akoma më shumë gjatë ditëve të nxehta të verës, pasi rritet mundësia e përhapjes së infeksioneve të ndryshme.