UJËRAT E NDOTURA “PUSHTOJNË” SHULBATRRËN
Situata me ujërat e ndotura në fshatin Shulbatërr të Njësisë Administrative Gurrë në Bashkinë e Klosit vijon të mbetet problematike. Rrjeti i këtyre ujërave është bllokuar sërish duke bërë që ato të dalin në sipërfaqe dhe të kthehen në shqetësim të madh për të gjithë banorët. Siç duket nga pamjet, ujërat e ndotura rrjedhin nga puseta dhe vërshojnë përmes rrugës dhe rrugicave të këtij fshati. Ndërhyrjet e bëra në kohë të ndryshme nuk e kanë zgjidhur përfundimisht këtë problematikë, ndërsa banorët vijojnë të vuajnë erën e rëndë në këto ditë të nxehta korriku. Jashtë kameras, banorët u shprehën se e kanë ngritur shqetësimin në disa institucione, ndërsa presin një ndërhyrje që do tjua zgjidhë përfundimisht këtë problem i cili i shoqëron që prej ndërtimit të rrjetit të ujërave te zëza në fshatin Shulbatërr. Situata mbetet kritike me rritjen e temperaturave teksa banorët i frikësohen infeksioneve që mund të vijnë si rezultat pranisë së ujërave të ndotura në sipërfaqe dhe pranë banesave.