Banorët e fshatrave Çerenec i Sipërm dhe Çerenec i Poshtëm në bashkinë Bulqizë kanë dalë në protestë, këtë të mërkurë, për rrugën e tyre. Banorët thonë se rruga ishte përfshirë në projektin për rikonstruksionin e plotë të aksit Ura e Çerenecit – Librazhd, por projekti është ndryshuar rrugës, duke lënë jashtë tij rreth 300 familje. Banorët shprehen se në vitin 2011 ata lejuan që të prisheshin tokat bujqësore, rrethimet e banesave dhe plantacionet me pemë frutore vetëm që rruga të bëhej. Në atë kohë është bërë zgjerimi i trasesë dhe nuk ka patur asnjë pengesë prej banorëve, ndërsa këta të fundit shpresonin që do të asfaltohej. Por banorët e të dy fshatrave të Çerenecit shprehen se për të kursyer vetëm 1 km rrugë, është hapur trase e re e cila i përjashton nga asfaltimi. Ata kërkojnë që rruga e tyre të asfaltohet në bazë të projektit fillestar të aksit Ura e Çerenecit – Librazhd.

  Nga ana tjetër, banorët e të dy fshatrave të Çerenecit në Bulqizë paralajmërojnë se do të vijojnë me protestat deri në bllokim të qarkullimit të automjeteve në rrugën e asfaltuar Ura e Çerenecit – Librazhd.

Kujtojmë se aksi rrugor Ura e Çerenecit – Librazhd ka përfunduar së asfaltuari vetëm pak javë më parë.