Turbina ka humbur thellësisht ndaj Partizanit me rezultatin 8-1 në miqësoren e djeshme. Rezultati i thellë nuk e ka shqetësuar trajnerin Gjoni, pasi kryesore për teknikun e cërrikasve është funksionimi i ekipit. Për “Panorama Sport”, numri një i pankinës së Turbinës, Vladimir Gjoni, u shpreh:

“Zhvilluam një ndeshje miqësore me Partizanin, një kundërshtar që ishte shumë më lart se ne. U mundëm me shumë gola, por kjo s’ka rëndësi për ne, pasi kryesore për mua është funksionimi i skuadrës. Kemi pak ditë që stërvitemi dhe mungesat ndikuan shumë, gjithashtu kishim përballë një skuadër tepër cilësore. Kjo miqësore më shërbeu për të parë më mirë gjendjen ku jemi, por na duhen akoma përgatitje.

Sot do të kthehemi në Cërrik për t’u stërvitur në shtëpinë tonë. Do t’i shfrytëzojmë në maksimum këto ditë që na kanë mbetur, për t’u përgatitur dhe për të qenë sa më në formë përpara rinisjes së kampionatit. Do ta përballojmë sezonin me këta lojtarë që kemi, duke mos u dorëzuar në asnjë moment. Lufta do të jetë tepër e fortë për mbijetesë dhe ne do të japim më të mirën tonë në çdo takim, për të qëndruar në Kategorinë e Parë”.

Marrë nga PANORAMASPORT