Teksa prej orësh janë bllokuar në malin e Korabit, si pasojë e rënies së një orteku, gjendja shëndetësore e dy turistëve zviceranë është jashtë rrezikut për jetën .
Turistët janë nisur që pasditen e djeshme në këtë tur, dhe nuk kanë mundur të kthehen, ndërsa dyshohet se u bllokuan nga një ortek.
Policia e Dibrës, forcat Alpine nga Tirana dhe Kosova u kanë shkuar në ndihmë, ndërkohë që pritet që helikopteri të bëjë uljen për t’i transportuar.
Sinjalizimi për bllokimin e dy turistëve është bërë gjatë natës, ndërkohë që forca të Policisë, Forcat Alpine të Tiranës dhe Kosovës, kanë ndërhyrë menjëherë duke bërë të mundur gjetjen e dy turistëve, ku njëri prej tyre ka thyer këmbën.
Këta të fundit kishin arritur që t’i mbijetonin temperaturave ekstreme dhe acarit duke krijuar një zgavër mes borës. Ndërkohë, pritet që një helikopter t’i transportojë ata drejt Tiranës.