Edhe pse për policinë ishte arrestuar një vrarës me pagesë, për të cilin uniformat blu kishin prova të pakundërshtueshme, madje dyshohej edhe për disa vrasje të tjera vec vrasjes së Emiliano Bocit, çudia ka ndodhur këtë të enjte. Hektor Xhecuka është liruar nga burgu pesë muaj pas arrestimit të tij si vrasës me pagesë. Sipas asaj që mësohet nga burimet, Xhecuka është liruar nga gjykata për mungesë të provave për përfshirjen e tij në vrasje. Hektor Xheçuka me origjinë nga Burreli dhe banues në Kamëz , u arrestua nga policia më 5 nëntor të vitit 2018.
Në atë kohë policia deklaroi se Xheçuka akuzohet se ka vrarë me 14 janar të vitit 2018 Emiljano Boçin dhe ka plagosur shokun e tij. 30-vjeçari Xheçuka u dyshua si i kontraktuar me pagesë për të kryer vrasjen për llogari të një grupi rival në fushën e trafikimit dhe shitjes së lëndëve narkotike me operim në Holandë, aty ku dyshohet të ketë patur aktivitet dhe grupi i Emiljano Boçit. Vrasje për larje hesapesh për pazare droge u konsiderua vrasja e Boçit në zonën pas shkollës “Sabaudin Gabrani” në kryeqytet.
Boçi u qëllua për vdekje në zonën e ish-parkut të autobusëve më 14 janar 2018, sapo kishte dalë nga një restorant, ku po darkonte me të dashurën dhe mikun e tij, Melvin Disha, i cili mbeti i plagosur. Autori e qëlloi nga pjesa e pasme e makinës “Range Rover” në drejtim të vendit të shoferit. E dashura e tij iu shpëtoi plumbave për mrekulli, dhe më pas njoftoi policinë. Në atë kohë, burime nga policia sqaruan se pistat e hetimit ishin ato të prishjes së pazareve të drogës, pasi 32-vjeçari lëvizte shpesh drejt Holandës dhe Gjermanisë.