Ndriçimi në tunelin e Shkopetit është rikthyer i plotë pas lajmit të transmetuar në “Mat Televizion”, ku thuajse të gjithë ndriçuesit e vendosur në të, nuk punonin. Ndonëse gjatësia e këtij tuneli është rreth 300 metra, ndriçimi në të ka qenë gjithmonë i domosdoshëm për shkak edhe të strukturës së tij.
Firma që ka privatizuar HEC-et Ulëz e Shkopet bëri të mundur vendosjen e këtij ndriçimi, ndërsa ndriçuesit nuk funksionuan siç duhej.
Pas ngritjes së shqetësimit të drejtuesve të automjeteve në median tonë vizive, mësohet se ka qenë po firma KURUM ajo e cila ka bërë të mundur zëvendësimin e ndriçuesve të prishur me ndriçuesit e rinj.
Jashtë kameras, drejtuesit e automjeteve që përdorin aksin Burrel-Skuraj, ngritën një tjetër shqetësim kryesisht në periudhën me reshje shiu, atë të prezencës së ujit në disa pika të tunelit të madh. Prania e vazhdueshme e ujit në këtë tunel, ka ndikuar edhe në dëmtimin e asfaltit, por mund të jetë një rrezik potencial edhe për shembjen e gurëve nga prania e ujit.