Një i ri ka gjetur vdekjen mëngjesin e kësaj të marte në fshatin Sllatinë në Dibër. Ngjarja dyshohet se ka ardhur si pasojë e një konflikti të çastit mes disa të rinjve që kishin konsumuar alkool, dhe më pas janë konfliktuar me njëri-tjetrin.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 03 të mëngjesit, kur viktima, 29-vjeçari me inicialet D.P, është goditur nga dy vëllezër dhe ka humbur jetën në spital.

Në njoftimin e policisë thuhet se sherri ka nisur pasi vëllai i viktimës, ka plagosur me thikë njërin prej autorëve. Pas ngjarjes, të dy autorët e ngjarjes, J.H dhe M.H, (vëllezër), dhe vëllai i viktimës, Q.P, 24  vjeç janë arrestuar.

NJOFTIMI I PLOTË:

Dibër

Zbardhet ngjarja e ndodhur në orët e para të mëngjesit, ku si pasojë e një konflikti të çastit, u plagos me sende të forta dhe humbi jetën në spital një shtetas.

Kapen dhe arrestohen në kohë rekord tre shtetas, ndër to dy vëllezër, autorë të dyshuar të ngjarjes.

reth orës 03.00, datë 17.09.2019, fshatin Sllatinë, gjatë një konflikti për motive të dobëta, (konflikt i çastit, pasi kishin konsumuar alkool), në ambjentet e një lokali në fshat, shtetasi Q.P, 24 vjeç, dyshohet se ka plagosur me thikë shtetasin M. H, 24 vjeç, dhe ky i fundit, në bashkëpunim me vëllain e tij, ka plagosur me sende të forta shtetasin D. P, 29 vjeç, ku si pasojë e plagëve të marra ka humbur jetën në spital.

Si rezultat i reagimit në kohë të policisë, dhe veprimeve hetimore të kryera, janë kapur dhe arrestuar autorët e dyshuar të ngjarjes, shtetasit :
Q.P, banues në fshatin Sllatinë (vëllai i shtetasit D.P).

J.H. dhe M. H.(vëllezër), banues në fshatin Sllatinë.

Grupi hetimor vijon hetimet për zbardhjen e plotë të shkaqeve të ngjarjes.

Materialet proceduriale do ti referohen Prokurorisë Dibër për herime të mëtejshme.

(k.m/dosja.al)