KËRKON NGA SHTETI TREG PËR SHITJEN E BORONICËS

Fshati për të cilin bën fjalë kjo kronikë është i veçantë pasi 80 familjet e tij mbijetojnë vetëm me bimë medicionale. Ky është fshati Rabdisht, në Nësinë Administrative Melan të bashkisë Dibër. Banorët e këtij fshati për çdo sezon veror mbledhin boronicë të egër. Por këtë vit, sipas Tofik Elezit që e takuam tek tregtonte boronicë para Prefekturës së Qarkut Dibër, prodhimi i kësaj bime medicinale ka qenë i pakët, si pasojë e motit të pafavorshëm. Ai kërkon që shteti t’i ndihmojë për të gjetur treg shitjeje me shumicë për boronicën dhe bimët e tjera mjekësore të këtij fshati dhe jo të torturohen duke e shitur me pakicë nëpër trotuare, pasi për ta, bimët medicinale janë mënyra e vetme e të ardhurave për jetesë.

Banorët e fshatit Rabdisht gjatë kësaj periudhe zgjohen familjarisht që në orën 4 të mëngjesit me të gjithë pjestarët e familjes, që nga mosha 7-vjeçare e sipër dhe i drejtohen malit të Korabit dhe Bjeshkëve të  Dibrës për të mbledhur boronicë dhe bimë të tjera mjekësore, për të siguruar sadopak të ardhura për të jetuar.