Banorët e tre lagjeve në fshatin Rripë në Gurrë të bashkisë së Klosit ankohen se janë pa rrugë automobilistike. Shembja e një masivi dheu ka lënë prej javësh të izoluar totalisht banorët e lagjes “Boza”, ndërsa pa rrugë makine janë edhe dy lagjet e tjera, “Pjetri” e “Alla”. Banorët që jetojnë në këto lagje shprehen se kërkesa e tyre për rrugë ka rënë në vesh të shurdhër, pa marrë deri tani asnjë zgjidhje. Ata shprehen se çdo material për shtëpitë e tyre i transportojnë me automjet deri në qendër të fshatit Rripë e më pas me kafshë ngarkesë e krahë për në shtëpitë e tyre. Vetë banorët e lagjes “Boza” por edhe të lagjeve të tjera, shprehen se për problemet e tyre kanë vënë në dijeni instancat vendore, por që deri tani nuk është marrë zgjidhja e kërkuar.

  Problematike situata është edhe për fëmijët e shkollës. Ata dalin nga shtëpitë e tyre me çizme për shkak të baltës dhe i fshehin në mes të rrugës, ku më pas veshin këpucë e atlete për tu paraqitur në shkollë.

Ndërkohë, problematike situata mbetet edhe në lagjet “Pjetri” e “Alla”, pasi një konflikt i pazgjidhur mes banorëve ka bërë që të mos hapet rruga, megjithëse është dërguar nga Bashkia Klos një sasi çimentoje 10 muaj më parë për këtë qëllim, por që nuk është përdorur pa u zgjidhur konflikti.