Një ngjarje tragjike ka tronditur këtë të enjte fshatin Tërnovë të Vogël në Bulqizë, ku një dalje për gjueti nga dy kushërinj ka përfunduar me vrasje. Rreth orës 12:00, në pyllin e fshatit, 36-vjeçari Vasil Kamberi humbi jetën pasi u plagos me armë gjahu nga kushuriri i tij i parë, Flamur Kamberi, 34 vjeç.
Sipas të dhënave paraprake, dy të rinjtë kishin dalë si zakonisht për gjueti. Në momentin tragjik, Vasil Kamberi u plagos rëndë dhe humbi jetën gjatë transportimit me helikopter drejt spitalit, për shkak të plagëve të marra. Autoritetet konfirmojnë se arma e përdorur ishte një çifte gjuetie.
Policia ka shoqëruar në Komisariatin e Bulqizës autorin e dyshuar të ngjarjes, Flamur Kamberin, për të kryer veprime të mëtejshme hetimore. Ndërkohë, ngjarja ka ngritur pikëpyetje mbi rrethanat e saj, duke qenë se të rinjtë ndodheshin në pozicione të ndryshme gjatë gjuetisë.
Hetimet paraprake sugjerojnë se ngjarja mund të jetë një aksident tragjik. Flamur Kamberi dyshohet se ka ngatërruar kushuririn e tij me ndonjë kafshë të egër në momentin e të shtënave, por rrethanat e sakta mbeten ende për t’u sqaruar nga autoritetet.
Çështja tashmë i ka kaluar Prokurorisë së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, e cila do të zbardhë të vërtetën e ngjarjes së rëndë. Banorët e fshatit Tërnovë të Vogël shprehen të tronditur nga kjo tragjedi, ndërsa familjet e përfshira përballen me një humbje të dyfishtë dhe të dhimbshme.