Tjetër vat
Pasi të mërkurën u bë e mundur që të vihet nën kontroll vatra e zjarrit në fshatin Gurë-Lurë, një tjetër vatër zjarri është aktivizuar këtë të enjte në Lurë. Vatra e re është shfaqur në vendin e quajtur “Maja e Bakullimës”, e cila është e veshur me pemë halore.
Mësohet se janë djegur mbi 10 ha kullotë dhe pyje halore. Teksa flakët vijojnë të jenë shumë aktive dhe të djegin çfarë iu del para, terreni i thepisur me shkëmbinj që herë pas here shkëputen, e bën të vështirë procesin e fikjes së zjarrit. Në terren janë të angazhuar punonjës MZSH-se, punonjës të AdZM Dibër, punonjës të Drejtorisë së Bujqësisë e Pyjeve të Bashkisë, punonjës të Njësisë Administrative Lurë si dhe vullnetarë. Por temperaturat e larta dhe era e fortë po favorizojnë përhapjen e zjarrit.
Ndërkohë që edhe këtë të enjte ka vijuar të jetë aktiv zjarri i rënë në masivin pyjor me dyshqe në zonën e Shkopetit. Ndonëse një pjesë e madhe e vatrave të zjarrit janë izoluar, në vendin e quajtur Lundre katër vatra të tjera kanë qenë aktive deri në orët e pasdites. Burime nga vendi i ngjarjes thanë se shkak bëhet era që fryn dhe temperaturat e larta, ndërsa po punohet intensivisht për ta izoluar gjithë vatrën e zjarrit.
Në malin e Balgjajt është shuar totalisht vatra e zjarrit, e cila shkaktoi dëm kolosal në ekonominë pyjore të kësaj zone. Fikja e zjarrit është bërë nga terreni ndërsa është ndihmuar edhe nga pak reshje shiu të rëna pasditen e së mërkurës.
ër zjarri në Lurë, digjen 10 ha me pemë halore, zjarri vion aktiv edhe në Ulëz