Duke qenë se ende nuk ka një kalendar të fillimit të kampionatit të katogorisë së parë në futboll për sezonin 2020 – 2021, skuadrat po vijojnë përgatitjet dhe testimet e herëpas hershme. Pas suksesit të arritur fundjavën e kaluar ku ekipi i drejtuar nga tekniku Samuel Nikaj fitoi përballë skuadrës së superligës, Kastriotit të Krujës, një tjetër miqësore pritet të zhvillohet këtë fundjavë.
Matjanët do të provojnë tashmë forcën me një ekip të kategorisë së parë, por sërisht nuk do të jetë nga grupi A. Burime pranë stafit teknik thanë se është planifikuar një përballje me ekipin e Elbasanit, por ende nuk është vendosur se ku do të luhet ndeshja, në Burrel apo në Elbasan.
Megjithatë, kjo mbetet për tu parë në ditët në vijim pasi e shtuna ka ende kohë. Ajo që është e rëndësishme pranë skuadrës matjane, janë afrimet e fundit që kanë rritur besimin jo vetëm tek stafi por edhe tek sportdashësit që këtë sezon do të kemi me të vërtetë një ekip pretendent për superligë e pse jo, të realizohet një ëndërr e shumëpritur për ta parë skuadrën në elitën e futbollit shqiptar.