Policia e Shtetit, në zbatim të masave kufizuese të shpallura nga qeveria shqiptare ka vijuar kontrollet në të gjithë territorin e vendit për të parandaluar veprimet, të cilat mund të sjellin pasoja për përhapjen e coronavirus. Me anë të një njoftimi të shpërndarë për mediat, Policia e Shtetit bën me dije se gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë evidentuar 75 drejtues mjetesh që kanë shkelur urdhrin e ndalim qarkullimit dhe janë ndëshkuar me bllokim mjeti dhe heqje patente.

Në kuadër të kontrolleve të ushtruara nga strukturat e Policisë dhe denoncimeve të ardhura nga qytetarët, janë evidentuar dhe ndëshkuar me masë administrative 615 qytetarë mënga 10 mijë lekë të reja. Ata u konstatuan nga shërbimet e Policisë duke lëvizur me këmbë apo me biçikleta, pa ndonjë arsye apo emergjencë. Policia gjithashtu ka proceduar një numër të konsiderueshëm qytetarët, pasi janë kapur në flagrancë duke thyer rregullin e vetëizolimit.

Gjithashtu, janë ndëshkuar me masë administrative 20.000 lekë dhe bllokim mjeti për 3 muaj, 2 shtetas, pasi nuk kanë zbatuar urdhrin për kufizimin e lëvizjeve në parqe dhe zona të gjelbra të hapura, në zonat urbane apo mjedise të tjera publike të hapura.

Në të gjithë vendin janë konstatuar 8 lokale të hapura dhe ndaj administratorëve është marrë masa administrative, në bazë të nenit 3, pika 7 e Aktit Normativ Nr. 3, datë 15.03.2020. Policia e Shtetit ka ftuar gjithë qytetarët që të respektojnë masat kufizuese, për të bërë të mundur parandalimin e përhapjes së COVID-19