Përmes një statusi në faqen e vet në Facebook kryeministri Edi Rama paralajmëroi për herë fundit të gjithë ata punëdhënës që deri më tani nuk kanë aplikuar në faqen zyrtare të të Tatimeve për shpërblimin e punonjësve të pezulluar nga puna prej tyre gjatë periudhës së karantinës.

Teksa e ka cilësuar këtë një gjë të turpshme dhe të dënueshme me ligji kryeministri iu jep afat deri më 5 qershor, të plotësojnë online Formularin me të dhënat e individëve përfitues në sipërmarrjet e tyre, “në të kundërt penalizimi për mosaplikim për cenimin e hapur të së drejtës së punonjësve tuaj, do të jetë i pashmangshëm!”

Nga ana tjetër kreu i qeverisë siguron të gjithë punonjësit e pezulluar nga puna të cilët janë përfitues të kësaj page se do ta marrin shumën prej 40 mijë lekësh brenda 5 qershorit dhe nëse punëmarrësi i tyre nuk ka aplikuar deri në këtë datë do të ndëshkohet sipas ligjit.

“Punonjësve në fjalë:

Keqardhje për këtë vonesë të krijuar nga punëdhënësit tuaj, e cila është toleruar deri këtu duke u shkruar e rishkruar atyre që ta përmbushin detyrimin, pa vepruar me gjobat përkatëse! Por kjo situatë do të marrë fund brenda datës 5 qershor dhe në rast se tatimpaguesi ku ju jeni/keni qenë të punësuar, nuk do të aplikojë brenda deri në 5 Qershor për ju, pagesa për ndihmën financiare do të kryhet menjëherë në llogarinë tuaj, në mënyrë automatike dhe punëdhënësi përkatës do të ndëshkohet!

Të gjithë juve që më keni shkruar për këtë hall me punëdhënësin tuaj apo jeni drejtuar me ankesat tuaja të drejta në administratën tatimore, ju lutem edhe pak ditë durim dhe besim të plotë që nuk do të jeni vetëm në këtë situatë absurde, ku ligji dhe Qeveria Juaj ju jep shpërblimin dhe Maliqi për të cilin punoni jua mohon

Aktualisht, së bashku me ata që kanë përfituar 3 paga lufte nga Paketa e Parë, janë gjithsej 176 mijë e 628 punonjës të mbështetur financiarisht! Me këtë pjesë ende të pashpërblyer, që do të shtohet menjëherë pas 5 qershorit numri i përgjithshëm i punonjësve të ndihmuar financiarisht nga Qeveria do të shkojë në afro 200 mijë.

Unë them atë që bëj dhe bëj atë që them dhe askush, asnjë, nuk do të mbetet pa marrë atë që i takon, me ligj e me zakon”, shkruan kreu i qeverisë në Facebook.