Tensione në Degën e PD-së, Pezullohen Zgjedhjet Lokale
Procesi i zgjedhjeve në degën lokale të Partisë Demokratike është ndërprerë, pas tensioneve të krijuara mes simpatizantëve të partisë. Sipas informacioneve, situata u përshkallëzua në mëngjes kur disa mbështetës kanë grisur fletët e votimit pasi nuk i kanë gjetur emrat e tyre në listat e votimit.
Kjo ngjarje ka sjellë kundërshtime të forta dhe ka penguar zhvillimin normal të garës mes kandidatëve Irvin Bode dhe Harito Zoto.
Pavarësisht përpjekjeve për të qetësuar situatën e krijuar, procesi nuk ka mundur të vijojë dhe zgjedhjet janë shtyrë për një datë tjetër, e cila pritet të caktohet nga kryesia e partisë.
Në këto kushte, përfaqësuesit që kishin shkuar nga Tirana për monitorimin e procesit kanë marrë me vete dy kutitë e votimit, me votat e hedhura në mëngjes, dhe janë larguar drejt kryeqytetit. Procesi pritet të riorganizohet në një moment tjetër.