Operacioni i koduar “Tempulli 2”, i ndërmarrë nga Policia e Shtetit më 21 dhe 22 janar, ka vënë në pranga dhjetra persona në mbarë vendin. Pjesë e këtij megaoperacioni policor mbarëkombëtar u bë dhe qarku Dibër, ku janë evidentuar dhe goditur 9 veprimtari kriminale, si dhe janë arrestuar e proceduar 9 shtetas, nga të cilët 6 janë arrestuar në flagrancë dhe 3 janë proceduar në gjendje të lirë.

Nëpërmjet një deklarate për mediat Policia e Dibrës bën me dije se në kuadër të këtij operacioni janë sekuestruar: 711 gramë kokainë, 237 gramë kanabis e ndarë në doza, 2 armë zjarri, 116 copë fishekë, 1 krëhër automatiku, 2 shkopinj bejzbolli, 1 radio marrëse-dhënëse,  4 granata, 5 kapsolla detonatore, 3.5 metra fitil zjarrpërcjellës, 8 celularë, 1 kompjuter dhe 6 automjete.

Deri tani këto janë detajet e vetme të raportuara nga uniformat blu ndërsa nuk bëhet e ditur se vendi ku janë goditur këto raste dhe kush janë personat e përfshirë në veprimtari të ndryshme kriminale që ranë në prangat e policisë gjatë operacionin të koduar “Tempulli 2”.