Muajt Korrik e Gusht të këtij viti janë shoqëruar me temperatura ekstreme dhe thatësirë të tejzgjatur. Kjo ka bërë që efektet në mjedis të jenë të mëdha në bimësi.

Dushqet dhe shkurret kanë qenë më të rriskuarat nga temperaturat ekstreme dhe thatësira e gjatë. Siç duket nga pamjet, shumë pemë janë tharë ose janë në tharje të plotë. Më e prekur ka qenë bimësia në terrene shkëmbore ku lagështia e nevojshme e pemës për të mbijetuar ka qenë me pakicë.

Të prekura janë dushqet, kryesisht Lisi por edhe shkurret apo pemë të tjera frutore. Specialistët e pyjeve thonë se kjo situatë e këtij viti nuk mbahet mend në vendin tonë, për shkak se thatësira ka qëndruar për një kohë shumë të gjatë e mbi të gjitha me temperatura ekstreme që shkuan deri në 41 gradë Celsius.

Me nisjen e reshjeve të shiut, pritet që dëmi në bimësi nga i nxehti përvëlues i kësaj vere të minimizohet dhe bimët të cilat nuk janë tharë plotësisht të mbijetojnë.

Të prekur nga ky fenomen kanë qenë kryesisht zonat kodrinore, pasi në pyjet e larta si ato Ahu apo Pishe, nuk ka patur dëmtie nga i nxehti përvëlues.