Të mërkurën do të zhvillohen ndeshjet e fazës së 1/16 të Kupës së Shqipërisë në futboll. Skuadra e Burrelit do të përballet në fushën e Flamurtarit të Vlorës, pas kalimit të dy tureve të para.

Ndërkohë, përballja me vlonjatët nuk do të jetë aspak e lehtë për të besuarit e Klevis Himës, të cilët u përballën me të njëjtën skuadër në kampionat vetëm pak javë më parë.

Ndërsa objektiv mbetet gara e vështirë në kampionatin e kategorisë së parë, matjanët i kanë kushtuar rëndësi edhe garës në Kupën e Shqipërisë, ku marrin pjesë ekipe nga të tre kategoritë e kampionatit kombëtar të futbollit.

Ndeshjet për këtë sezon në Kupën e Shqipërisë janë me një takim deri në gjysmëfinale ku do të ketë dy takime mes skuadrave.

Përballjet e tjera të fazës së 1/16 që do të luhen të mërkurën janë Bylisi-Vora, Kastrioti – Elbasani, Tomori – Lushnja, Korabi – Besa, Apolonia – Luzi 2008, Skënderbeu – Turbina dhe Dinamo – Oriku.

Pas mbylljes së kësaj ndeshje, matjanët do të duhet të vijojnë stërvitjen për ndeshjen e radhës në kampionat, që do të jetë ajo përballë ekipit të Lushnjës.