Situata e krijuar në fundjavë nga dëbora është përmirësuar në rrethin e Matit. Për shkak të temperaturave pozitive gjatë ditës së martë, dëbora ka nisur shkrirjen në zonat e ulta duke bërë që të jetë prezente vetëm në lartësi.
Burime për Mat Televizion thanë se këtë të Martë shkollat që nuk kanë zhvilluar mësim në Bashkinë e Matit kanë qenë “26 Korriku”, Bruç, “Ahmet Xhetani” Derjan dhe “Rexhep Kërtuka” në Frankth. Të mërkurën edhe këto shkolla do t’i rikthehen mësimit.
Në Bashkinë e Klosit shkollat e vetme që nuk kanë zhvilluar mësim sot kanë qenë ato të Njësisë Administrative Xibër. Edhe këto shkolla të mërkurën do të rikthehen në mësim.
Sa i përket rrugëve rurale, Mbrotja Civile raportoi se në Bashkinë e Matit është punuar për hapjen e dy rrugëve të fundit të fshatrave Vig të Macukullit dhe Selixë të Komsisë.
Në Bashkinë e Klosit, problem mbeten fshatrat e njësive administrative Xibër e Gurrë ku ende nuk është bërë lidhja me qendrat e Njësive Administrative. Gjatë mbrëmjes së të hënës ka patur ndërprerje të energjisë elektrike si pasojë e erës së fortë që ishte e pranishme në të gjithë Matin.