Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB), në projeksionet e saj për popullsinë shqiptare ka rishikuar në ulje me 30-40% pritshmëritë se sa persona do të mbeten në një vend deri në vitin 2100. Zhvlerësimi i ndjeshëm ka ardhur brenda një viti (2019 kundrejt 2018) dhe është nxitur si nga rënia e normës së lindshmërive, ashtu dhe nga trendi i lartë i emigracionit.
Në parashikimet e publikuara në vitin 2018, sipas variantit të lartë të parashikimit (me normë të lartë fertiliteti), popullsia e vendit në vitin 2100 pritej të mbetej në rreth 2.8 milionë persona, në një rënie të lehtë nga niveli aktual prej 2.87 milionë banorësh. Por, vetëm një vit më pas, në 2019-n, pritshmëria është ulur ndjeshëm edhe për variantin optimist. Në të gjitha rastet, edhe në variantin optimist, – pra nëse merret një nivel zero emigracioni dhe ecuri normale e normave të fertilitetit-, në vitin 2100, Shqipëria nuk pritet që të ketë me shumë se 1.9 milionë banorë, ose 31% më pak se parashikimi i një viti më parë. Në variantin e mesëm, Shqipëria nuk pritet të ketë më shumë se 1 milionë banorë, nga 1.6 milionë banorë që ishte parashikimi në vitin 2018 për këtë skenar, me një ulje prej rreth 34%. Rishikimi më i lartë është bërë për skenarin e ulët (normë të lartë emigracionit dhe fertilitet të ulët), në bazë të së cilin, në Shqipëri në vitin 2100, sipas pritshmërive të departamentit të Divizionit të Popullsisë të OKB-së, në Shqipëri nuk pritet që të mbeten më shumë se 512 mijë banorë. Më parë, pritshmëria ishte për 860 mijë banorë, pra parashikimi është ulur me 40%. Rënia e lindshmërisë (fertiliteti-norma bruto e lindjeve) dhe rifillimi i ciklit të emigracionit pritet që të tkurrin popullsinë në dekadat në vijim. Rënia me shpejtësi e numrit të lindjeve e ka çuar Shqipërinë nën normën e zëvendësimit e cila përllogaritet 2.1 fëmijë për grua. Rënia e popullsisë, sidomos largimi i popullsisë në moshë pune pritet të japë efekte të rënda në të ardhmen, si në skemën e pensioneve, me krijimin e një shtrese të brishtë pa kujdesin e duhur, ashtu dhe në rënien e produktivitetit të sipërmarrjeve, me efekt në tendencën e pagave, investimeve të tyre e taksave që paguajnë, me pasoja afatgjata në ngadalësimin e ekonomisë së vendit.