Asnjë masë e marrë në Suç, rruga nacionale në rrezik
Dëmtimi nga poshtë karrexhatës i rrugës nacionale Burrel – Klos në vendin e quajtur Suç, vijon të jetë jashtë vëmendjes së firmës mirëmbajtëse dhe institucioneve përgjegjëse. Ndonëse ky problem është bërë disa herë mediatik dhe është vënë në dijeni Autoriteti Rrugor Shqiptar, situata mbetet e njëjtë, madje më e degraduar për shkak të reshjeve të fundit të shiut. Siç duket nga pamjet, zgavra nën asfalt sa vjen e zgjerohet, duke e bërë kalimin mbi të shumë të rrezikshëm sidomos për automjetet e tonazhit të rëndë. Një tjetër problem janë edhe barrierat metalike anësore të cilat kanë mbetur totalisht në ajër dhe nuk mund të jenë mbrojtëse për makinat që mund të përplasen në të. Apeli i banorëve të Suçit por edhe drejtuesve të mjeteve ka rënë në vesh të shurdhër, teksa autoritetet nuk kanë reaguar ende apo nuk kanë marrë masa për riparimin e këtij dëmtimi. Gjendja nuk duket nga asfalti por vetëm duke e verifikuar nga poshtë. Kjo është rrezikshmëria më e lartë për drejtuesit e automjeteve që nuk e dijnë problemin e kësaj rruge në kryqëzimin që të dërgon në fshatin Kurdari të Bashkisë Klos.