Të dëmtuarit nga tërmeti i 26 Nëntorit të vitit 2019 në katër bashkitë e Qarkut Dibër ende nuk janë dëmshpërblyer. Prefekti i Qarkut Dibër Nexhbedin Shehu thotë se kjo vonesë ka ardhur pasi ky qark nuk u përfshi nga qeveria në zonën e emergjencës e për pasojë ka patur vonesa. Megjithatë, Shehu shton se pas bisedës me kryebashkiakun e Klosit, bashki e cila ka edhe numrin më të madh të familjeve të dëmtuara në Qarkun Dibër, parat e dëmshpërblimit do tju kalojnë të dëmtuarve brenda pak ditësh. Një gjë e tillë ishte premtuar që të ndodhte që në muajin Shkurt të këtij viti, por banorët ende nuk kanë marrë asnjë lekë. Këtë Shehu e justifikon me vonesat për shkak të dokumentacioneve që duhen.
Shumë prej familjeve të dëmtuara nga tërmeti i 26 Nëntorit në Bashkinë Klos vijojnë të jetojnë në çadra, ndërsa një pjesë tjetër janë rikthyer në banesa, ndonëse janë të rrezikshme.