Taulant Balla i bën thirrje demokratëve: Çojeni Sali Berishën në burg!

Taulant Balla i bën thirrje demokratëve: Çojeni Sali Berishën në burg!

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, gjatë replikës së tij në seancën plenare, deklaroi se protestuesit jashtë Kuvendit kërkojnë burgosjen e ish-kryeministrit Sali Berisha dhe u bëri thirrje demokratëve ta mbështesin këtë kërkesë.

“Ju vuani nga sindroma e Stokholmit, ku i përdhunuari bie në dashuri me përdhunuesin. Protestuesit thonë: ‘Saliu në burg’. Plotësojeni kërkesën e protestuesve. Çojeni Saliun në burg”, u shpreh Balla, duke iu drejtuar grupit parlamentar të Partisë Demokratike.

Balla theksoi ndryshimin mes grupeve parlamentare, duke u shprehur: “Ky grup parlamentar as ka vuajtur nga 12 qershori 1991 e deri më sot nga sindroma e Stokholmit. Ju vuani nga sindroma e Stokholmit, ku i përdhunuari bie në dashuri me përdhunuesin.”

Ai përsëriti thirrjen drejtuar demokratëve për të plotësuar kërkesën e protestuesve: “‘Saliu në burg’ thotë protestuesi. Plotësoje, pra, kërkesën e protestuesve. Çoje Saliun në burg. Ja plotëson dot kërkesën?”

Gjatë replikës së tij, Balla bëri edhe një vërejtje personale drejtuar kryetarit të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, lidhur me praninë e tij të herëshme në seancë dhe komentoi veshjen, duke thënë: “Rritu sa të duash, as nuk e mbush, as nuk e kënaq dot kostumin tim.”

Në fund të fjalës së tij, Balla kërkoi hedhjen në votim të kalendarit të seancës.