Ministria e Turizmit dhe Mjedisit në bashkëpunim me Agjensinë Kombëtare të Bregdetit kanë marrë një nismë kombëtare për të ndërgjegjësuar, monitoruar dhe ndëshkuar këdo që ndot mjedisin.
Në të gjitha rrugët nacionale janë vendosur këto tabela që lajmërojnë mbajtjen pastër të mjedisit, duke vënë në dukje se ndotja e tij është krim mjedisor, dënohet me gjoba të rënda si dhe ka monitorim me kamera.
Por siç duket, nisma ka mbetur në vendnumëro pasi përgjatë rrugëve nacionale nuk janë vendosur ende kamera të cilat mund të pikasin këdo që hedh mbeturina pa kriter qofshin ato banorë të zonës apo kalimtarë.
Situata vijon të mbetet e rëndë kryesisht në shtretërit e lumenjve, për të cilët më herët ishte marrë një nismë nga qeveria për t’i pastruar.
Shtrati i lumit Mat, nga Klosi deri në Liqenin e Ulzës vijon të jetë i ndotur, gjë të cilën e tregojnë mbeturinat e ngecura në bimësi apo pemë si flamuj të papastërsisë përgjatë gjithë rrjedhës së tij.
Ekspertët thonë se deri tani nismat për të mos lejuar ndotjen e mjedisit kanë dështuar, ndërsa e vënë theksin tek krijimi i kushteve për banorët apo udhëtarët si dhe të bëhen fushata ndërgegjësuese kombëtare.