Sula nga Dibra: i tërheq “veshin” AKU-s, kontroll në subjektet turistike, “Protesta”: janë demokratike por nuk i komentoj

Sula nga Dibra: i tërheq “veshin” AKU-s, kontroll në subjektet turistike, “Protesta”: janë demokratike por nuk i komentoj

Kryeinspektori i Përgjithshëm i Shqipërisë Dashnor Sula është ndalur këtë të mërkurë në Dibër, ku zhvilloi një takim me të gjitha inspektoriatet që janë në këtë zonë. Në një intervistë për mediat, Sula tha se u kërkua angazhim maksimal në plotësimin e detyrave dhe rritjen e eficencës së punës së përditshme nga të gjitha inspektoriatet. Duke qenë se jemi në sezon turistik, kryeinspektori Sula tha se Autoritetit Kombëtar të Ushqimit i është kërkuar të jetë më shumë prezent në terren në kontrollin e subjekteve që ofrojnë shërbimin e turizmit. Sa i përket personave të punësuar në subjekte të ndryshme kryesisht në sektorin minerar, kryeinspektori Dashnor Sula tha se ky vit ka patur më pak aksidente në punë, ndërsa inspektoriati i punës duhet të ushtrojë më shumë kontrolle sa i përket zbatimit të rregullave të sigurimit teknik. Lidhur me protestën, e cila po zhvillohet në shesh për më shumë se 45 ditë në kryeqytet, kryeinspektori Dashnor Sula tha se ajo është legjitime, por deklaroi se nuk e komentonte më tej për shkak të pozicionit që mban në administratën publike.