Rreth 250 nxënës të shkollës së mesme të bashkuar “Haxhi Lata” në Suç, të Bashkisë së Klosit, kanë bojkotuar me protestë ditën e parë të nisjes së mësimit plotësues në arsimin parauniversitar. Ata u mblodhën para godinës së shkollës së tyre, e cila është mbyllur nga eskpertë të Ministrisë së Ndërtimit, me pretendimin se është dëmtuar nga tërmeti i 26 Nëntorit të vitit 2019. Por edhe pse kanë kaluar afro dy vite, jo vetëm që nuk është ndërtuar një objekt i ri shkollor, por as nuk është rikonstruktuar ai ekzistues. Banorë e prindër të nxënësve të ardhur nga fshatrat e Njësisë Administrative Suç dhe asaj Gurrë, kërkuan edhe njëherë që të rihapet shkolla ekzistuese, në të kundërt jo vetëm do të vazhdojnë bojkotin e mësimit plotësues, por edhe të vitit të ri shkollor që nis me datë 27 Shtator.
Një pjesë e fëmijëve e kanë zhvilluar vitin e kaluar mësimor në këtë godinë që ndodhet në fshatin “Kujtim”. Objekti sipas nxënësve dhe vetë prindërve është i papërshtatshëm për të zhvilluar aty procesin mësimor. Vetë fëmijët shprehen se nuk do të kthehen më aty por kërkojnë që t’ju rihapet shkolla e tyre në Suç.
Bashkia e Klosit nuk ka ende një vendim përfundimtar se çfarë do të bëjë me objekt arsimor të shkollës së mesme të bashkuar Suç, ndërsa banorët kërkojnë rivlerësim nga grupe ekspertësh shtetërorë dhe të pavarur.