SPAK-u mbi rastin "Balluku": Çështja nën hetim, do të ketë vendimmarrje sipas ligjit

SPAK-u mbi rastin "Balluku": Çështja nën hetim, do të ketë vendimmarrje sipas ligjit

Kreu i Strukturës së Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK), Klodian Braho, ka konfirmuar se çështja që përfshin ish-zv.kryeministren Belinda Balluku është ende nën hetim. Kjo deklaratë erdhi në përgjigje të pyetjes së deputetit të Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi, në Komisionin e Ligjeve.

Deputeti Bylykbashi pyeti nëse do të ketë një kërkesë të dytë drejtuar Kuvendit për heqjen e imunitetit dhe arrestimin e Ballukut, duke theksuar se tashmë ka akuza për korrupsion dhe pastrim parash. “Tani kemi akuzë për korrupsion dhe pastrim të produkteve. Do ketë sërish kërkesë për heqje imuniteti mbi bazën e provave dhe akuzave të reja?” pyeti Bylykbashi.

Në përgjigjen e tij, Klodian Braho theksoi se nuk mund të paragjykonte një vendimmarrje, duke saktësuar se çështja është në një fazë hetimore. “Ju prapë e lidhni pyetjen me çështje konkrete. Nuk do kishte çështje nëse nuk do kishte shkelje të ligjeve. Ju e keni të qartë qëndrimin e Prokurorisë, por edhe se si ka vazhduar Prokuroria pas mospranimit të kërkesës. Unë sot nuk mund të para shpall një vendimmarrje, çështja është nën hetim. Nuk mund të them nëse do ketë apo jo, por do jetë një vendimmarrje e bazuar në ligj, duke marrë parasysh edhe arsyet pse Kuvendi ka vendosur rrëzimin e kërkesës,” u shpreh Braho.

Kjo situatë vijon të mbajë në qendër të vëmendjes hetimet e SPAK-ut dhe dinamikat politike lidhur me integritetin e zyrtarëve të lartë.