SPAK Godet në Fier: Arrestohet Drejtori i Spitalit Arben Voja për Tjetërsim Tokash
Me urdhër të SPAK (Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar), është arrestuar sot Drejtori i Spitalit Rajonal të Fierit, Arben Voja.
Voja është vënë në pranga nën akuzat për shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentesh, lidhur me tjetërsimin e rreth 44 mijë metrave katrorë tokë në zonën e Povelçës. Dyshohet se kjo tokë, e cila fillimisht ishte pronë shtetërore, është kaluar në pronë private dhe më pas u është shitur investitorëve të një projekti fotovoltaik.
Arben Voja, i cili më herët ka shërbyer edhe si drejtor i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës në Fier, është shoqëruar nga forcat e policisë për kryerjen e veprimeve procedurale.
Në kuadër të të njëjtës dosje, janë arrestuar edhe ish-kreu i Njësisë Administrative Dërmenas, Dilaver Shyti, punonjësja e Kadastrës Fjorelo Bida dhe noterja Anila Haxhiu. Për Arbina Jaupajn është caktuar masa e sigurisë “Detyrim paraqitjeje”, së bashku me ndalimin e daljes jashtë vendit.
Hetimi thellohet në mënyrën se si pronat shtetërore kanë kaluar në pronësi private dhe në rolin e personave të dyshuar në këtë proces. Kjo nuk është hera e parë që emri i Arben Vojës përfshihet në akuza për periudhën kur ka drejtuar institucione publike.
Në vitin 2025, ai u kallëzua në SPAK për shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentesh, pas konstatimit të 36 rasteve të dyshuara të mosllogaritjes së tatimit 15 për qind, me një dëm ekonomik të pretenduar prej 9.5 milionë lekësh.
Gjithashtu, në vitin 2023, një tjetër dosje ndaj tij, për shkelje të dyshuara gjatë drejtimit të Agjencisë Rajonale të Mjedisit, u dërgua për gjykim.