Shpallet kompania fituese për hartimin e projektit të rrugës Ura e Matit - Rrëshen

Shpallet kompania fituese për hartimin e projektit të rrugës Ura e Matit - Rrëshen

Autoriteti Rrugor Shqiptar ka mbyllur procedurën për kompaninë që do të hartojë projektin e rehabilitimit të rrugës Rrëshen - Burrel. Pas vlerësimit të ofertave që ishin dhënë në Agjensinë e Prokurimit Publik është shpallur edhe kompania fituese. Kompania që do të hartojë projektin në një hark kohor prej 6 muajsh do të jetë “Seed Consulting” sh.p.k. Në garë kanë qenë dy kompani, ndërsa fituesja është shpallur në vlerën e 8,288,000 lekë nga 9.3 milion që ishte fondi limit. Tashmë kjo kompani duhet të realizojë projektin për rehabilitimin e rrugës Rrëshen – Burrel, e cila bën pjesë tek rrugët nacionale të vendit tonë dhe lidh Matin me Mirditën. Projekti do të parashikojë të gjithë ndërhyrjet e nevojshme në segmentin prej 31.2 kilometrash nga Rrësheni në Burrel. Sipas dokumenteve të tenderit: “Ndërhyrja duhet të mbështetet në një analizë të plotë të gjendjes ekzistuese të rrugës, të terrenit, të kushteve gjeologjike dhe hidrologjike, të trafikut aktual dhe të pritshëm, si dhe të funksionit që aksi ka për zonën. Zgjidhja projektuese duhet të synojë përmirësimin e parametrave funksionalë të rrugës, duke respektuar konfigurimin e terrenit dhe duke shmangur, sa herë që është e mundur, ndërhyrjet me ndikim të lartë në mjedis, në prona private ose në infrastrukturat ekzistuese”.