Shkëmbinjtë e rrezikshëm në Shkopet vijojnë të biejnë mbi rrugë, rrezikojnë udhëtarët
Segmenti i Shkopetit, që është pjesë e rrugës nacionale Skuraj – Burrel, vijon të jetë problematik në disa drejtime. Veç gjendjes së amortizuar të rrugës, problem shqetësues për të gjithë drejtuesit e mjeteve është rënia e gurëve apo shkëmbinjëve në mënyrë të beftë. Edhe kohët e fundit ka patur masive shkëmbore që kanë rënë në asfalt por që fatmirësisht nuk kanë shkaktuar viktima. Drejtuesit e mjeteve thonë se sa herë kalojnë në këtë rrugë janë të frikësuar nga shembja e shkëmbinjve. Ata kërkojnë që institucionet të bëjnë kontrollin e të gjithë shpatit të malit dhe të shembin gurët apo shkëmbinjtë që rrezikojnë të bien, pa u shkaktuar ndonjë tragjedi njerëzore siç ka ndodhur më herët edhe në zonën e Torovicës në Lezhë. Nga Ura e Ulzës e deri në Skuraj e gjithë skarpata e sipërme e rrugës konsiderohet e rrezikshme, pasi ka rënie të vazhdueshme të gurëve dhe shkëmbinjëve, sidomos në ditët me shi.