Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka zhvilluar operacion një ditë më parë në Zyrën Vendore Arsimore Dibër. SPAK sqaron se gjithçka ka nisur, pasi një person, i identifikuar si Halit Shehu ka dashur të fillojë punë si mësues.

Për këtë arsye ai ka kontaktuar me shtetasin Fitim Farruku, punonjës i Këshillit të Qarkut Dibër. Ky i fundit i kishte premtuar kundrejt shpërblimit që t’i sigurojë ndikim te drejtuesit e Zyrës Vendore Arsimore, në mënyrë që Halit Shehu të punësohet si mësues.

Gjatë operacionit, menjëherë pas dorëzimit të shumës prej 100.000 lekësh nga shtetasi Halit Shehu kundrejt Fitim Farruku kanë ndërhyrë punonjësit e policisë duke bërë arrestimin në flagrancë të tyre si dhe duke bllokuar provat materiale.

Të dy këta shtetas dyshohet se kanë konsumuar elementet e veprës penale të “Ushtrimit të ndikimit të paligjshëm të personave që ushtrojnë funksione publike” parashikuar nga neni 245/1 paragrafi 2 i Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë.

Për tu marrë në pyetje ishte shoqëruar edhe bashkëshorti i drejtoreshës së Zyrës Vendore Arsimore Dibër, por ai është lënë më pas i lirë.