Aksi rrugor nacional Skuraj – Burrel vijon të jetë shqetësim për drejtuesit e mjeteve të cilët qarkullojnë në këtë rrugë. Gjendja e degraduar kryesisht nga Ura e Ulzës e deri në qytetin e Burrelit e bën kalimin në këtë aks kombëtar të vështirë për të gjitha llojet e automjeteve. Ndonëse firma mirëmbajtëse i mbush gropat herë pas here me asfalt, për drejtuesit e mjeteve kjo është zgjidhje afatshkurtër dhe jo afatgjatë. Ata shprehen se në këtë mënyrë, nuk ka përmirësim të gjendjes së rrugës, por vetëm sa mbulohen gropat, për tu rikthyer në një kohë shumë të shkurtër. Drejtuesit e automjeteve thonë se historikisht kjo rrugë ka qenë në këtë gjendje dhe se asnjë nga qeveritë nuk ka bërë investim të mirëfilltë në të. Ata kërkojnë që ky aks rrugor shumë i rëndësishëm për të gjithë Qarkun Dibër t’i nënshtrohet një rehabilitimi të plotë siç u bë pak vite më parë me segmentin Burrel – Klos.

Veç pranisë së gropave rruga Skuraj – Burrel ka shumë probleme edhe me deformimin e asfaltit, të urave etj. 23 kilometra të kësaj rruge nga Burreli tek Ura e Ulzës janë më të dëmtuarat.