Skandal në Burgjet Shqiptare: Pamje Shokuese Festash me Alkool e Telefona nga Të Burgosur Kriminalë

Skandal në Burgjet Shqiptare: Pamje Shokuese Festash me Alkool e Telefona nga Të Burgosur Kriminalë

Një video shokuese ka tronditur opinionin publik që prej mbrëmjes së djeshme, ku disa të burgosur shfaqen duke festuar brenda ambienteve të një burgu, në shkelje flagrante të rregullave dhe kushteve të sigurisë.

Pamjet e publikuara tregojnë një grup personash me precedentë kriminalë, të cilët ndodhen brenda një qelie, e cila, sipas informacioneve, është në një burg të sigurisë së lartë në vend. Në video, të burgosurit shihen duke konsumuar alkool, duke dëgjuar muzikë me volum të lartë dhe duke përdorur telefona celularë, ndërsa disa prej tyre bëjnë video dhe flasin në ‘videocall’.

Në video shfaqen figura të njohura të botës së krimit, si Lulzim Berisha, Fehmi Mziu dhe Islam Kasa, të cilët duken të relaksuar, duke festuar së bashku me persona të tjerë, të konsideruar si të afërt apo “të besuar” të Kel Arapit. Po ashtu, në sfond vihet re një televizor i madh dhe një numër i konsiderueshëm të burgosurish të grumbulluar në të njëjtën qeli.

Pas publikimit të videos, ka reaguar menjëherë Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, e cila ka sqaruar se video është filmuar para muajit janar në Burgun e Durrësit. Drejtoria bën me dije se një pjesë e të burgosurve që shfaqen në pamje janë identifikuar, por disa rezultojnë të jenë liruar ose transferuar në burgje të Sigurisë së Lartë, si rasti i Lul Berishës.

Menjëherë pas qarkullimit të videos, Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Sistemin e Burgjeve është vënë në lëvizje dhe ka nisur një hetim të plotë administrativ dhe penal. Ky hetim, sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, përfshin jo vetëm të burgosurit e identifikuar, por edhe verifikimin e zinxhirit komandues në IEVP Durrës, me qëllim përcaktimin e përgjegjësive në çdo nivel drejtues.

Në vijim të kontrolleve të ushtruara gjatë muajit prill, gjatë ditës së sotme janë zhvilluar kontrolle të befasishme dhe të imtësishme në disa institucione. Në IEVP Durrës janë kapur në flagrancë dhe sekuestruar 3 telefona celularë. Poseduesit e këtyre pajisjeve janë ndër personat e identifikuar në video. Ndaj tyre janë marrë masa të menjëhershme, duke u kaluar në veçim dhe duke u proceduar penalisht.

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve thekson se nuk toleron asnjë shkelje dhe se çdo rast trajtohet me masa konkrete, përgjegjësi individuale dhe ndjekje penale. Mesazhi është i qartë: siguria nuk negociohet. Çdo shkelje do të goditet pa kompromis dhe kontrolli në institucionet penitenciare do të vijojë të forcohet çdo ditë.