SITUATË KRITIKE NGA ZJARRI NË MADHESH, FLAKËT RREZIKOJNË ZONAT PËRRETH

SITUATË KRITIKE NGA ZJARRI NË MADHESH, FLAKËT RREZIKOJNË ZONAT PËRRETH

Situata nga zjarret në Njësinë Administrative Ulëz, në Bashkinë Mat, vijon të jetë kritike. Prej tre ditësh, flakët kanë dalë jashtë kontrollit, duke përfshirë një sipërfaqe të konsiderueshme në zonën e Lundrës dhe në masivin pyjor të Trodhenit. Gjatë natës së mbrëmshme, zjarri është përhapur me shpejtësi edhe drejt fshatit Madhesh, duke rrezikuar fermat dhe gjënë e gjallë të banorëve. Sipas banorëve të zonës, në një prej fermave ndodhen rreth 250 lopë, si dhe një numër i konsiderueshëm bagëtish të imta, kryesisht dele dhe dhi, si edhe disa koshere bletësh. Zona është mbuluar nga tymi i dendur, ndërsa raportohet se disa krerë bagëtish nuk janë gjetur që prej nisjes së zjarrit. Pavarësisht ndërhyrjes nga ajri me helikopter prej dy ditësh dhe angazhimit të forcave të shumta në terren, flakët vijojnë të jenë jashtë kontrollit. Deri më tani raportohet se janë djegur qindra hektarë pyje me pisha, dushqe dhe lloje të tjera bimësie. Banorët e zonës bëjnë apel për një ndërhyrje më të shpejtë dhe shtimin e mjeteve ajrore, pasi zjarri po përparon drejt territorit të Krujës, duke rritur rrezikun për përhapjen e mëtejshme të flakëve. Në terren, krahas forcave zjarrfikëse dhe strukturave të tjera të angazhuara, po punojnë edhe punonjësit e zonave të mbrojtura, në përpjekje për izolimin dhe shuarjen e vatrave aktive të zjarrit.