SITUATË KRITIKE NË FSHATRAT E ULZËS, VIJON NDËRHYRJA NGA AJRI DHE TOKA

SITUATË KRITIKE NË FSHATRAT E ULZËS, VIJON NDËRHYRJA NGA AJRI DHE TOKA

Zjarri i aktivizuar të dielën e 30 gushtit në masivin pyjor me dushqe e shkurre në fshatin Madhesh, të Njësisë Administrative Ulzës në Bashkinë e Matit, ka dalë totalisht jashtë kontrollit. Për shkak të erës së fortë dhe bimësisë së thatë vatra e zjarrit është zgjeruar me shpejtësi, favorizuar edhe nga era e fortë. Me gjithë ndërhyrjen e menjëhershme të punonjësve të Shërbimit Zjarrfikës, të Shërbimit Pyjor, të Mbrojtjes Civile dhe administratës së Bashkisë Mat, flakët kanë përfshirë një sipërfaqe të konsiderueshme. Flakët kaluan këtë të hënë edhe në fshatrat Trodhën e Lundre, duke djegur edhe masive me pishë të zezë. Gjatë ditës së sotme një fermë lopësh u rrezikua, ndërsa flakët ju afruan edhe banesave. Gjatë dy ditëve pati edhe ndërhyrje nga ajri të një helikopteri, por perimetri i madh i vatrës së zjarrit nuk bëri të mundur izolimin e flakëve. Në terren ndodhen dhjetra forca në rrugë tokësore por situata mbetet tepër e vështirë për shkak të terrenit të thyer malorë dhe mungesës së rrugës automobilistike për mjetet zjarrfikëse. Po ashtu, situatë shqetësuese mbetet edhe zjarri i rënë në masivin pyjor të fshatit Sllatinë në Dibër si dhe vatrat e zjarrit në fshatin Vajkal afër Bulqizës si dhe Qafë Helmes. Në Ballenjë të Martaneshit zjarri është fikur pasi ka patur reshje shiu.